Rizvanolli: Siguria e energjisë mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me ftesë të ministrit grek për Energji dhe Mjedis, Kostas Skrekas, ka marrë pjesë në Dialogun e parë Ministror të Energjisë në Athinë me temën: “Garantimi i sigurisë energjetike në një botë në zhvillim”.

Gjatë takimit ministror, krahas Ministres Rizvanolli dhe Ministrit Srekas kanë marrë pjesë; Ministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ministri i Bullgarisë, Rosen Hristov, ministri i Italisë, Gilberto Pichetto Fratin, si dhe Ministri i Rumanisë, Virgil-Daniel Popescu.

“Ministrat kanë diskutuar rreth shtrirjes e zgjerimit të lidhjeve të transmisionit, rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtërishme të energjisë në miksin e energjisë të vendeve të Evropës jug-lindore si dhe rritjes së efiçiencës së energjisë si një ndër hapat kyçë në përballje me krizën energjetike evropiane”, thuhet në njoftim.

Ministrja Rizvanolli gjatë diskutimit me ministra ka cekur që siguria e energjisë mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë, në të cilin varen pavarësia dhe siguria energjetike e Evropës.

Është kritike që ky bashkëpunim të ndërtohet jo vetëm duke u bazuar në zhvillim ekonomik, por në vlerat tona të përbashkëta evropiane, të paqes e demokracisë. /Zëri