Kurti të rinjve: Dita e djeshme s’ishte e përshtatshme për mua, lexoni sa më shumë

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur ditë të papërshtatshme takimin e ndërmjetësuar nga kryediplomati evropian Josep Borrell me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Kurti në “Konferencën për Rininë 2022” - “Drejt një politike kombëtare” u ka bërë thirrje të rinjve që të lexojnë më shumë, duke u garantuar mbështetjen e Qeverisë.

Ai me këtë rast foli edhe për Projektligjin për rininë dhe shtoi se të rinjtë e të rejat kanë shumë ide në politikëbërje.

“Lexoni sa më shumë të rinjve. Jam i gëzuar që sot po shoh të rinj me shumë entuziazëm drejt ndryshimeve progresive për vendin tonë. Të rinjtë e të rejat kanë shumë ide në politik-bërje. Brenda pak muajve e nisëm dialogun për rini duke u anketuat 300 individë. Për Qeverinë ekzistojnë 4 parime karshi rinisë, zhvillimi i rinisë, përfshirja të rinjve në procese vendimmarrës, duhet të ketë buxhet të konsiderueshëm për rini. Këto parime po na udhëheqin drejt një vizioni të përbashkët me Projektligjin për rini”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.

“Përvese e kemi bërë arsimin pa pagesë. Kemi ndarë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, 1 355 bursa. Detyra jonë është ta fuqizojmë shtetin brenda dhe jashtë. Duke vepruar i vetëm askush nuk mund të ketë sukses. Kemi edhe shumë talente i cili qëndron i strukur. Sfidat e shekullit dhe ndryshimet klimatike janë sfida që tejkalojnë mandatet qeveritare. Secili brez është përgjegjës për atë që bën. Do ta shtojmë numrin e qendrave për rini anembanë Kosovës. Mbështetja financiare është çdoherë e nevojshme”.