Vogel: Dialogu çdo muaj po pëson krizë, Kurti humbi durimin

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, deklaroi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka humbur durimin në procesin e negociatave me Serbinë, pasi sipas tij ky proces çdo muaj “po bie në një krizë që BE-ja e rregullon me një marrëveshje të përkohshme”.

Siç raportoi Zëri i Amerikës të martën, Vogeli u shpreh se ky proces dialogu nuk po i trajton asnjëherë “pyetjet themelore që dialogu duhet t’u përgjigjet.

“Bashkimi Evropian duhet të pyesë veten se çfarë mund të bëjë për t'i çuar negociatat në fazën ku merren parasysh çështjet më të vështira - sovraniteti dhe njohja. Është e qartë se kryeministri Kurti e ka humbur durimin me procesin që çdo disa muaj bie në një krizë që Bashkimi Evropian e rregullon me një marrëveshje të përkohshme”, tha Vogeli.

Sipas tij, nëse dialogu mes palëve nuk zhvillohet për çështje thelbësore, nuk ka vlerë. Ai u shpreh se fajësimi i Kosovës nga shefi i BE-së për politikat e jashtme, Josep Borrell, për pengesa në zgjidhjen e konflikteve ia vështirëson atij situatën.

“Siç e tha vetë Borrelli, një proces që përjeton kriza çdo muaj dhe që duhet rregulluar, është i paqëndrueshëm”.

Kosova vendosi që ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat ilegale për 48 orët e ardhshme, pas propozimit të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.