Grenelli akuzon ish-kryeprokurorin e Speciales: Shkatërroi reputacionin e Gjykatës

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka akuzuar ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, se e ka shkatërruar reputacionin e Hagës.

Në një reagim në rrjetin social Twitter, Grenelli ka thënë se Jack Smith ka shkatërruar “një herë e përgjithmonë” reputacionin e Gjykatës Speciale

Ai ka thënë se Smithi nuk ka “busull morale” për të hetuar ish-presidentin Donald Trump.

“Jack Smith nuk ka busull morale. Ai ka tentuar ta kapte Donald Trumpin qe një kohë – dhe nuk i intereson që gënjen për ta arritur këtë qellim. Ai e ka shkatërruar njëherë e përgjithmonë reputacionin e Hagës – dhe po, unë e kam një histori që kam për ta treguar për të”, ka thënë Grenelli.

Këto komente Grenelli i ka bërë në reagim ndaj publikimit të një informate që e ndërlidh Jack Smithin me presidentin Joe Biden.

Sipas publikimit të gazetarit amerikan Joe Rodgers, bashkëshortja e Jack Smith kishte kontribuuar financiarisht në fushatën e Joe Bidenit më 2020.

Sipas dokumente zyrtare, të cilat ai i ka publikuar, Katy Chevigny, bashkëshortja e ish-kryeprokurorit të Speciales kishte kontribuuar me dy mijë dollarë në fushatën presidenciale të Joe Bidenit.

Jack Smith ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Prokurorisë Speciale) në Hagë të premten.

Kryeprokurori Smith ishte i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë.

Lajmin për largimin e tij nga proceset gjyqësore në Hagë e ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

“Prokurori i posaçëm, Smithi ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i Gjykatës Speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Smithi, i cili Prokurorisë Speciale në Hagë i ishte bashkuar në vitin 2018, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar raste të tjera.

Ai u emërua për të mbikëqyrur një nga hetimet të mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump.