“NATO-ja vigjilente, e gatshme të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”

Zyrtari i NATO-s për diplomacinë publike në Bruksel, Afrim Gjonbalaj, ka thënë se NATO-ja është vigjilente dhe e gatshme të ofrojë sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

”Aleanca Veri-Atlantike, siç ka theksuar më parë, është vigjilente dhe është 24/7 në monitorimin e situatës në tërë territorin e Kosovës, sidomos në këto momente, po ashtu edhe në veri të Kosovës. Aleanca Veri-Atlantike gjithmonë e ka theksuar se sa u përket marrëveshjeve politike i takon BE-së të ndërmjetësojnë ose të jetë vëzhguese se çfarë marrëveshjeje do të zgjidhet, prandaj edhe siç ka theksuar edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i cili ka bërë edhe një telefonatë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Borell, ku edhe ka theksuar se është zhgënjyer që nuk është arritur një marrëveshje”, u shpreh ai për Klan Kosovën.

Ai gjithashtu tha se NATO-ja ka forca të mjaftueshme për të garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Me rëndësi është që në këtë moment që këto mosmarrëveshje të zgjidhen sa më shpejt që është e mundur, pra të mos shkohet rreth eskalimit të situatës. NATO-ja beson që është me rëndësi që të vazhdohen kontaktet mes Prishtinës dhe Beogradit që të arrihet një marrëveshje për moseskalimin e situatës. Pra, NATO-ja është vigjilente 24/7 në monitorimin e situatës. Sa i përket Aleancës Veri-Atlantike, ajo ka forca të mjaftueshme që të jetë e gatshme që të garantojë sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës”, u shpreh tutje ai.