Ferizaj: 19-vjeçari dyshohet se e dhunoi në shtëpinë e tij 12-vjeçaren

Një 12-vjeçare dyshohet se është dhunuar në Ferizaj nga një i rritur, i cili është arrestuar dhe me vendim të pakurorit është dërguar në mbajtje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se për të dyshuarin është përgatitur kërkesa për paraburgim.

Rastin në Polici e ka denoncuar nëna e viktimës, e cila ka deklaruar se vajza ka dalë nga shtëpia dhe nuk kishte njohur për vendndodhjen e saj.

Teksa kryeprokurori Shukri Jashari foli për Express, ai tha se i dyshuari është 19 vjeç dhe akti i dhunimit dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e të dyshuarit.

“I dyshuari është 19 vjeç, pra nuk është i mitur. Është përgatitur kërkesa për paraburgim ndaj tij, dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e të dyshuarit”, tha Jashari.

Rasti i dhunimit u bë i njohur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

“DHUNIM / Ferizaj, 21.11.2022 – 01:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vajza e saj e moshës 12-vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Njësitë policore kanë arrite të gjejnë viktimën. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.