DASH: SHBA-ja e zhgënjyer, Kurti e Vuçiqi duhet të bëjnë lëshime për të mos rrezikuar paqen e fituar me dekada të vështira

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se SHBA-ja është tejet e zhgënjyer me liderët e Kosovës dhe Serbisë, pas mospajtimit për targat në Bruksel.

Në një deklaratë në faqen zyrtare të DASH-it, Price u bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq që të punojnë me përfaqësuesin e lartë të BE-së Borrellin dhe përfaqësuesin special të BE-së Lajçakun për të arritur një kompromis të drejtë.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të bien dakord sot me përfaqësuesin e lartë të BE-së Borrellin për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të punojë me përfaqësuesin e lartë të BE-së Borrellin dhe përfaqësuesin special të BE-së Lajçakun për të arritur një kompromis të drejtë”, thuhet në deklaratë.

Tutje, DASH-i thekson se Kurti dhe Vuçiqi do të duhej të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me dekada të vështira në një rajon tashmë të brishtë.

“Ne i bashkohemi BE-së për t’i bërë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të përshkallëzonte tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave të automjeteve. Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, të përmbushin detyrimet e tyre sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, deklaron Price.