Kurti pranon kërkesën e SHBA-së, shtyn afatin për targat

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar kërkesën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë Jeff Hovenier për shtyrjen e afatit për targat në veri.

Kurti pas mesnate ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e SHBA-së për të shtyrë për 48 orë afatin për shqiptimin e gjobave për targat ilegale, transmeton Zeri.info.

Këtë e bëri të ditur vetë kreu i Qeverisë, përmes një shkrimi në Twitter.

“Falënderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme KM (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, deklaroi Kurti.

Kjo deklaratë e Kurtit erdhi pak minuta pas asaj të Hovenierit, i cili tha se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin për t’i dhënë mundësi dialogut.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë shqiptimin e gjobave për t'u lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, thuhej në deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë. /Zëri