Kurti jep versionin e tij për takimin e sotëm me Vuçiqin në Bruksel

Pas takimit trepalësh në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë diskutuar për normalizimin e marrëdhenieve mes Kosovës e Serbisë.

Kurti ndër të tjera u shpreh se ishin afër dakordimit, por që Serbia nuk e pranoi propozimin nga BE-ja, sepse sipas tij ata mendojnë se ky propozin nuk është bazë e mirë për të zhvilluar bisedimet, raporton Zeri.info.

“Kemi qenë afër dakordimit në kuptimin që ne ishim pajtuar, që fazën në vijim të zbatimit të vendimit tonë për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës ta pezullojmë, pra gjobat, të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërkaq në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, me prodhimin, me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Ai më tej ka dhënë arsyet pse pala kosovare nuk e ka pranuar propozimin e BE-së, duke thënë se Borrelli hoqi dorë nga afati i marsit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Por, natyrisht kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë se për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E në propozimin që na e kanë sjellë neve, për deklaratën e përbashkët Borrell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra që ne po vijmë këtu, në Bruksel, për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023. Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Kurti.

Kryeministri ndër të tjera ka thënë se është i gatshëm që të vazhdojë bisedimet, por që marrëveshja finale për normalizim marrëdhëniesh të ketë në qendër njohjen reciproke.

“Andaj, edhe jemi në këtë situatë çfarë ndodhemi tani dhe unë shpresoj që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale dhe tri trilaterale, nuk kemi ende një marrëveshje”, u shpreh ai. /Zëri