Borrell: Kurti e Vuçiqi, përgjegjës për dështimin e bisedimeve dhe krijimin e tensioneve

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell është deklaruar pas takimit tetëorësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksadar Vuçiq në Bruksel.

Borrelli tha se është shumë e rëndësishme që të dyja palët iu përgjigjën pozitivisht kësaj ftese për takim, sepse sipas tij përsëri jemi në një situatë krize, raporton Zeri.info.

Borrell thotë se shkak për destabilizimin e situatës është bërë vendimi i Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e personave që bartin automjetet me targa ilegale, teksa shton se pas këtij vendimi, serbët janë larguar nga institucionet kosovare dhe nga Policia e Kosovës.

Ai ndër të tjerash ka thënë se stacionet policore në rajon po menaxhohen nga më pak se 50 policë gjyqtarë, që lë hapësirë ndonjë përshkallëzim që rrezikon sigurinë.

“Sundimi i ligjit s’duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe përshkallëzim, duke mos respektuar detyrimet nga marrëveshjet e arritura nga dialogu Kosovë-Serbi”, u shpreh Borrelli.

Ai thotë se BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje në mënyrë të ripërsëritur për mospërshkallëzimin, përderisa shprehet se që nga vera mes të dyja vendesh ka kriza pas krizash.

Borrelli ndër të tjerash ka thënë se çështja e normalizimit të marrëdhënieve është parësore, pra që nuk ka të bëjë me targat, por që sipas tij ka tjera shkaqe, shkruan “Zeri.info”.

“Ia kam bërë shumë të qartë të dyja palëve se nuk mund të vazhdojmë kështu, se ky rreth vicioz krizash dhe afatesh duhet të ndalet. Ne presim që Kurti e Vuçiqi të tregojnë lidership dhe vullnet për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që ata të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, u shpreh ai.

Borrelli më tej ka ripërsëritur se pas takimit tetëorësh dhe për mosarritjen e marrëveshjeve janë përgjegjës Kurti e Vuqiqi.

“Për hir të transparencës, më duhet të them se ne bëmë një propozim, që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme, të cilin presidenti Vuçiq e pranoi sot, por fatkeqësisht nuk e bëri kryeministri Kurti”, u shpreh ai ndër të tjera. /Zëri