Osmani dhe Torresi flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kongresistin amerikan Ritchie Torres, njëherësh bashkëkryesues i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, të cilin e falënderoi për punën e tij të jashtëzakonshme në mbështetje të Republikës së Kosovës, si dhe e njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe situatën aktuale të sigurisë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, në takim me kongresistin Torres, Osmani vuri theksin në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, si dhe angazhimin e tij për mbështetjen e mëtejme të Kosovës. Në këtë drejtim, Osmani theksoi se kongresisti Torres po e vazhdon trashëgiminë historike të kongresistit Eliot Engel, duke qenë një zë i fuqishëm i Kosovës në Kongresin amerikan.

Kongresisti Torres theksoi se Kosova është mike dhe aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara dhe se do të punojë afër me administratën amerikane për ta vazhduar mbështetjen për Republikën e Kosovës. /Zëri