Arrestohen dy burra në Ferizaj, njëri rrahu gruan e tjetri motrën

Janë arrestuar dy persona në Ferizaj, pasi kanë ushtruar dhunë në familje, njofton Policia.

Sipas Policisë, një burrë nga fshati Talinovc i Ferizajt ka ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e tij 32-vjeçare, me inicialet D.M., ku pastaj e njëjta kishte pranuar tretman mjekësor.

“Më datën 20.11.2022, në dy raste të ndara, janë arrestuar dy persona për dhunë në familje. Rreth orës 19:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në fshatin Talinovc i Muhaxherëve të Ferizajt është një rast i dhunës në familje. Në lidhje me këtë policia e stacionit në Ferizaj, konkretisht Njësia e Dhunës në Familje, menjëherë i ka marrë veprimet e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin B.M. (M/K) i moshës 33-vjeçar, i cili shkak i një mosmarrëveshjeje në familje e kishte sulmuar bashkëshorten e tij D.M. (F/K) e moshës 32-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime trupore, e cila më pas kishte pranuar tretman mjekësor”, njofton Policia.

Mirëpo nuk ishte ky rast i vetëm i dhunës në familje në Ferizaj. Kjo pas një mosmarrëveshjeje mes vete vëllai 25-vjeçar kishte sulmuar motrën e tij 28-vjeçare.

“Ndërsa, rreth orës 21:00 është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje në rrugën ‘Safet Berisha’ në Ferizaj. Sektori Rajonal i Dhunës në Familje menjëherë i ka marrë veprimet e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin I.T. (M/K) i moshës 25-vjeçar, i cili shkaku i një mosmarrëveshjeje i kishte shkaktuar dhunë fizike dhe psikike motrës së tij S.T. (F/K), e moshës 28-vjeçare”, njofton Policia.

Sipas Policisë, të dyshuarit janë në mbajtje për 48 orë dhe rasti është duke u hetuar më tej.

“Policia të dyshuarit në të dyja rastet i ka shoqëruar në Stacionin e Policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues të dhunës në familje, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të njëjtët janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”.