SHBA-ja vazhdon të jetë tregu numër një për produktet “Made in Kosova”

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, për Ekonominë Online tha se SHBA-ja vazhdon të jetë tregu numër një për produktet “Made in Kosova”.

Zeka thotë se në këtë ka ndikuar edhe se Amerika mundëson që Kosova të eksportojë mbi 3 mijë produkte pa iu nënshkruar detyrimeve doganore.

“SHBA-ja vazhdon të jetë tregu numër një për produktet ‘Made in Kosova’. Ne duhet të vazhdojmë të promovojmë anekënd botës, natyrisht është sistemi i njëanshëm preferencial tregtar që SHBA-ja e aplikon për Kosovën që mundëson eksportimin e mbi tre mijë produkteve nga Kosova në SHBA-ja pa iu nënshtruar detyrimeve doganore”.

Ai është shprehur i shqetësuar për ikjen e punëtorëve drejt vendeve perëndimore, duke theksuar se kjo po ndodh në të gjitha vendet e rajonit.

Mirëpo, ai shpreson që një pjesë e madhe e tyre do të kthehen në Kosovë.

“Duket që trendi i ikjes së punonjësve është një trend që nuk po e karakterizon vetëm Kosovën, por edhe vende të tjera të rajonit në përgjithësi. Kam ndonjë që pavarësisht angazhimit gjithëpërfshirës që të gjithë ne mund ta kemi është pak vonë që të ndalim një trend të tillë. Megjithatë njerëzit, të cilët kanë bërë plane që të largohen do të dëshirojnë t’i realizojnë ato plane mirëpo unë kam shpresën që një pjesë e madhe e tyre do të kthehen”.

Për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja direkte, Zeka thotë që Qeveria duhet ta kalojë Ligjin për investime strategjike, në mënyrë që të hyjë në fuqi vitin tjetër.

Ky ligj, sipas Zekës, është mjaft i nevojshëm për të tërhequr investitorë të huaj në Kosovë.

“Për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja direkte kam shpresën që Qeveria dhe Kuvendi do ta kalojnë Ligjin për investime strategjike këtë vit dhe nga janari i vitit 2023 e tutje shpresoj që do të jetë afati kur ligji do të hyje në fuqi dhe do të jemi ne gjendje ti përdorim dispozitat e ligjit për t’i tërhequr investitorët e huaj. Me ligjin e vjetër kanë qenë që ka procedura burokratike që ligji megjithatë nuk është fleksibil dhe pavarësisht synimit që mund të ketë në tërheqjen e investitorëve të huaj veprimet e stërzgjatura nga ana e institucioneve kanë bërë që një pjesë e investitorëve as të mos e marrin statusin e investitorit strategjik po edhe të mos jenë të kënaqur me trajtimin që u është bërë nga ana e vendit. Qeveria duhet të rrisë kontrollin që mos të abuzohet me procesin e dhënies së statusit të investitorit strategjik ku njeri prej mekanizmave më të mirë të kontrollit është Kuvendi dhe aprovimi nga ana e kuvendit të aplikacionit të këtyre investitorëve”.