Deputeti i LDK-së: Kurti pas takimit me Vuçiqin në Bruksel të vijë të raportojë në Kuvend

Bashkimi Evropian ka njoftuar se sot do të mbahet takim i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi.

BE-ja ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Borrelli do të presë Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8:00 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.

Por kritika për kryeministrin Kurti ka partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Nënkryetari i kësaj partie, Anton Quni, në një intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se kryeministri duhet të raportojë për dialogun në Bruksel, pasi këtë e obligon edhe Rezoluta e miratuar nga ligjvënësit, ku pro kishin votuar edhe deputetët e LVV-së.

Ai thotë se përkundër kësaj, LVV-ja nuk e ka përfillur deri tani këtë rezolutë.

“Në Kuvendin e Kosovës tashmë ekziston një rezolutë, e cila është votuar edhe nga LVV-ja, ku nënvizohet se para dhe pas çdo pjesëmarrje në dialog me Serbinë duhet të raportohet në Parlamentin e Kosovës. Ndërkaq, deri tani partia në pushtet nuk e ka përfillur një gjë të tillë”, ka thënë Quni.