Sulmohet centrali bërthamor në Ukrainë, shqetësohet OKB: Po rrezikohet një fatkeqësi e madhe

Centrali bërthamor i Ukrainës në Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin rus, u trondit nga bombardimet. Kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së dënoi sulmet dhe tha se veprime të tilla rrezikonin një fatkeqësi të madhe bërthamore, shkruan Reuters.

Sulmet e përsëritura të uzinës në Ukrainën jugore kanë ngritur shqetësimin për mundësinë e një aksidenti të rëndë vetëm 500 km (300 milje) nga vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë, fatkeqësia e Çornobilit të vitit 1986.

Centralin Zaporizhzhia, Rusia e mori nën kontroll pak muaj më parë. Një ekip i IAEA në terren tha se kishte pasur dëmtime në disa ndërtesa, sisteme dhe pajisje në centralin, stacioni më i madh bërthamor në Evropë. Ekipi i IAEA mund të shihte disa nga shpërthimet nga dritaret e tyre.

“Lajmet nga ekipi ynë dje dhe këtë mëngjes janë jashtëzakonisht shqetësues”, tha në një deklaratë shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi.

Termocentrali bërthamor Zaporizhzhia ka gjashtë reaktorë VVER-1000 V-320 të projektuar nga sovjetikët, të ftohur me ujë dhe të moderuar me ujë, që përmbajnë Uranium 235, i cili ka një gjysmë jetëgjatësi prej më shumë se 700 milion vjet.

Reaktorët mbyllen, por ekziston rreziku që karburanti bërthamor mund të mbinxehet nëse fuqia që drejton sistemet e ftohjes ndërpritet.