Policia: Gjobitja për shoferët me targa ilegale serbe nis nga 22 nëntori

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave.

“Policia e Kosovës, konform planifikimeve operacionale ka vazhduar angazhimet policore në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.10.2022 me Nr.05/103, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ëA” në targa RKS”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës, shkuan “Zeri.info”.

Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023.

Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi. Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe vlerësuar zhvillimet në vend duke bërë vlerësime profesionale konform të cilave ka ndërmarrë masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Për çështjen e planit të qeverisë për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës, të hënën në Bruksel pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Serbët në komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza .

Faza e parë përfshiu qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës.

Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës - nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria. /Zëri