Benzema reagon pas konfirmimit që nuk do jetë në Kampionatin Botëror
Sulmuesi i Real Madridit dhe Francës, Karim Benzema ka folur pas konfirmimit që nuk do jetë në Kupën e Botës.
Benzema nuk e nisi mirë këtë edicion, pasi pësoi lëndime të shpeshta me Realin.
Në ndeshjet e fundit përpara pushimit të Kupës së Botës, sulmuesi nuk arriti të jetë me ekipin për shkak të lëndimit.
Megjithatë, ai u ftua nga kombëtarja e Francës.
Fillimisht 34 vjeçari ushtronte në palestër vetëm, pasi nuk ishte i gatshëm t`i bashkohej pjesës tjetër të grupit.
Mbrëmë francezi filloi stërvitjen me kombëtaren e tij, por nuk arriti ta përfundojë pasi pësoi një lëndim tjetër.
Kombëtarja e ‘Gjelave’ pas ekzaminimeve mjekësore e konfirmoi që Benzema nuk do jetë me grupin në rrugëtimin e tyre për mbrojtjen e titullit.
Pas njoftimit nga Franca, reagoi edhe vetë lojtari, duke thënë që e mendon si çdo herë ekipin e tij dhe për këtë arsye ka vendosur t`ia lë vendin dikujt që mund të ndihmojë grupin.
Më poshtë e gjeni njoftimin e plotë të francezit.
“Në jetën time nuk jam dorëzuar kurrë, por sonte më duhet të mendoj për ekipin siç kam bërë gjithmonë, kështu arsyeja më thotë t’ia lë vendin tim dikujt që mund të ndihmojë grupin tonë të bëjë një Botëror të mirë. Faleminderit për të gjitha mesazhet tuaja të mbështetjes”, shkroi ai.
Kujtomë që Benzema do jetë njëri nga shumë mungesat e Francës, pasi aty nuk do jenë as Paul Pogba, N’Golo Kante, Presnel Kimpembe, Chirstopher Nkunku, Mike Maignan.