Serbia paguan bojkotin e serbëve në Kosovë

Serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë braktisur institucionet e Kosovës, vazhdojnë të nënshkruajnë kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.

Në këto kontrata theksohet se kryerësi i punës merr përsipër të kryejë punën për Organin e përkohshëm dhe Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, për “mbështetje të komunitetit serb” në veri të Kosovës.

Në kontratën mbi vepër thuhet se kryerësi i punëve do t’i kryejë ato në përputhje me “urdhrin dhe nevojën e treguar”. Megjithatë, nuk specifikohet se cilat punë do të jenë ato.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë nënkupton “kryerja e punëve për mbështetje të komunitetin serb”.

Gjithashtu nuk ka pasur sqarime se çfarë do të thotë “kontratë për angazhim të posaçëm pune”, duke pasur parasysh se një kontratë e tillë nuk ekziston në Ligjin e punës në Serbi.

Në anën tjetër, legjislacioni i Kosovës e njeh “kontratën për detyrë të veçantë”, e cila lidhet për më së shumti 120 ditë gjatë vitit dhe kjo kontratë nuk parasheh, ndër të tjera, të drejtën për pushime.

Sipas rregullores në Serbi, kontrata mbi vepër e nënshkruar nga punëtorët, lidhet me qëllim të kryerjes së punëve që janë jashtë veprimtarisë së punëdhënësit, ndërkaq punëtori nuk i ka të drejtat e njëjta sikurse të punësuarit, ndër të tjera, kontrata nuk parashikon të drejtën e pushimeve vjetore dhe pushimit mjekësor.

Nënshkrimi i kontratës nënkupton që nënshkruesi do të marrë pagën për muajin nëntor në sistemin e Serbisë, në kuadër të institucioneve paralele – Organeve të përkohshëm të katër komunave në veri të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të japë komentin e saj lidhur me njoftimin se autoritetet e Serbisë kanë ofruar kontrata për serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës në veri të vendit. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje.

Si u arrit në këtë pikë?

Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës pas shkarkimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave.

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Këto targa është dashur të zëvendësohen me ato që kanë mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës).

Serbët nga veriu i Kosovës dhe Beogradi zyrtar kundërshtojnë riregjistrimin e targave në RKS dhe kërkojnë targa KS, të cilat konsiderojnë neutrale ndaj statusit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 9 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, do të punësohen në organet shtetërore të Serbisë.

“Asnjë nga ata 3.500 njerëz nuk do të jetë në rrugë. Ne do të kujdesemi për të gjithë”, tha Vuçiq asokohe.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë njoftoi, më 17 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Kosovës, tani do t’i marrin të gjitha nga shteti i Serbisë.

Siç tha Vuçiq në TV Pink, më 6 nëntor, kjo do t’i kushtojë shtetit nga 50 deri në 60 milionë euro.

Zyra për Kosovën nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se nga cilat mjete janë ndarë këto para.

“Mobilizim i heshtur i serbëve në veri”

Me nënshkrimin e kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Kosovës, autoritetet serbe i janë qasur riaktivizimit dhe forcimit të institucioneve paralele serbe në katër komunat e veriut të Kosovës, vlerësojnë njohësit e proceseve politike dhe të çështjeve të sigurisë.

Qeveria e Serbisë dëshiron t’ua bëjë me dije serbëve të Kosovës se ata, tash e tutje, do të varen vetëm nga Serbia".

Kjo qasje, sipas tyre, mund të marrë kahe të rrezikshme në aspektin e sigurisë në Kosovë.

Ofrimin e kontratave nga Serbia për qytetarët serb të veriut të Kosovës, njohësi i proceseve politike, Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e sheh si keqpërdorim të statusit social dhe etnik të serbëve të Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: