Reagon Gruda: Deklaratat e pavërteta të Qeverisë për fitoren në arbitrazh kundër “IuteCredit” janë tronditëse
Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë deklaratat e pavërteta të qeverisë në lidhje me meritat e tyre për fitoren në arbitrazh kundër IuteCredit janë tronditëse, pasi sipas tij, e vërteta është lehtë të verifikohet.
Ai ka treguar se në vitin 2019, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim për revokimin e licencave për dy institucionet mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”, për shkak se kishte konstatuar se normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione ishin në kundërshtim me ligjin, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Deklaratat e pavërteta të qeverisë në lidhje me meritat e tyre për fitoren në arbitrazh kundër IuteCredit janë tronditëse, sepse, e vërteta është kaq lehtë e verifikueshme.
Ja e vërteta e plotë e këtij rasti me pak fjalë:
Në vitin 2019, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim për revokimin e licencave për dy institucionet mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”, për shkak se kishte konstatuar se normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione ishin në kundërshtim me ligjin. Pra, ky vendim është marr në kohen kur qeveria Kurti nuk ishte në pushtet.
Në anën tjetër, mbrojtja e këtij rasti në arbitrazh është bërë nga avokatura shtetërore, e cila nuk është organ politik, pra nuk është emëruar nga kjo qeveri, dhe kompania Squire Patton Boggs e angazhuar për këtë rast.
A mund të më thotë dikush konkretisht, cila është merita e kësaj qeverie në këtë rast?
Është e pabesueshme se si në mungesë të sukseseve reale, qeveria po përpiqet gjithnjë e më shumë të krijoj një version alternativ të realitetit.
Kjo qeveri luan me lojën e "post të vërtetës" si çdo qeveri tjetër populiste.