Opozita konsideron se Qeveria duhet të dëgjojë kërkesat e aleatëve

Opozita në vend insiston në shtyrjen e afatit të targave duke qenë në koordinim të plotë me kërkesat e SHBA- së e BE-së. Subjektet politike opozitare situatën në veri të vendit po e cilësojnë jo stabile dhe me mundësi të eskalimit.

Rashit Qalaj i PDK-së edhe pse sheh si vendim legjitim atë për targat megjithatë konsideron se është gabim strategjik mos dëgjimi i partnerëve nga SHBA e BE për shtyrjen e afatit për targat.

“Unë mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm sepse ekziston mundësia e potenciali për dhunë atje. Po ashtu ekzistojnë individë e grupe kriminale të cilët janë të gatshme që të kryejnë ndoshta edhe akte kundër policisë dhe institucioneve atje", tha ai.

Ndërsa Anton Quni nga LDK thotë se çdo veprim i qeverisë duhet të jetë mirë i koordinuar me partnerët strategjik për të mos lejuar eskalim të situatës.

“Është shumë me rëndësi që çdo veprim i autoriteteve të qeverisë të jetë mirë i koordinuar me partnerët strategjik. Tanimë është dëshmuar që gjithnjë kur kemi menaxhuar me situata komplekse dhe në krah kemi pasë mbështetjen e partnerëve tanë ato situata janë tejkaluar pa pasoja”, tha ai.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj beson se para datës 21 nëntor, Kosova duhet të pranojë kërkesën e shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta shfuqizuar vendim e targave deri te bisedimet për marrëveshje finale.

“Është logjikë e thjeshtë, nuk operohet në një çështje të sigurisë pa ata që kanë rol në siguri, pra është diçka që nuk bëhet pa ta. Besoj se aleatët tanë të sigurisë nuk do lejojnë që situata të dalë prej kontrollit. Në këtë rast falënderoj edhe KFOR-in edhe EULEX-in por veçanërisht SHBA dhe aleatët e sigurisë dhe nuk do ta lejon që situata të dalë nga kontrolli. Por veprimet tona duhet të jenë në koordinim me aleatët e sigurisë"”, tha ai.

Megjithëse kryeministri Kurti nxori si modalitet përshkallëzimin e zbatimit të vendimit për targa, megjithatë SHBA dhe BE u shprehën të zhgënjyera nga ky vendim, duke insistuar në kërkesën që ai të shtyhet për 10 muaj në mënyrë që t?i jepet kohë dialogut.

Megjithatë, zv/kryeministri Besnik Bislimi në një intervistë të dhënë një ditë më parë për RTK-në deklaroi se nuk kishte garancie prapa  kërkesës për shtyrjen për 10 muaj, më saktësisht nuk kishte përgjigje se çka do të ndodhte pas 10 muajsh.