Kurti takohet me drejtuesit e Akademisë Estoneze për Qeverisje Elektronike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike (eGA), ku është takuar me Drejtorin Ekzekutiv, Hannes Astok dhe ekipin e tij, si dhe e-Estonia Briefing Centre, ku u prit nga Menaxherja e përgjithshme, Ave Lauringson.

Bëhet e ditur se në këtë takim u theksua se Kosova vlerëson modelin estonez të shtetndërtimit në shumë aspekte, e veçanërisht në lidhje me kapacitetet institucionale në reformën e administratës publike. U vlerësua mundësia për të përfituar nga përvoja e suksesshme estoneze në qeverisjen digjitale.

“U vlerësua bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike, në zhvillimin e strategjisë së re të e-Qeverisjes, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital të mëtejshëm në qeveri”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera theksohet se strategjia e re e e-Qeverisjes do të mbulojë të gjitha aspektet e transformimit digjital, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve të koordinimit dhe politikëbërjes në qeverisjen elektronike.

“Krahas nxitjes së inovacionit në e-Qeverisje, kjo strategji po ashtu ka për qëllim zhvillimin e kompetencave digjitale në qeveri, ofrimin e shërbimeve elektronike të besueshme, të përqendruara te përdoruesit dhe me qasje gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe bizneset, si dhe rritjen e sigurisë kibernetike të sistemeve qeveritare”, thuhet ndër të tjera. /Zëri