Gjykimi ndaj gjykatësit Prenaj dhe të tjerëve, dëshmitari: Në kohën e pasluftës Bordi i RTP-së s’kishte kompetenca

Dëshmitari Haki Leci në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, deklaroi se Bordi i Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), në kohën e pasluftës nuk kishte kurrfarë kompetencash.

Këtë deklarim, dëshmitari Leci e bëri në gjykimin ku për korrupsion po akuzohet gjykatësi Lekë Prenaj dhe tre të akuzuar të tjerë Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja.

Prokurori Valdet Avdiu e ka pyetur dëshmitarin Leci, se a e njeh personin e quajtur Himi Kastrati, për çka dëshmitari pohoi se e njeh qysh pas luftës.

“E kam njoftë pas lufte, ky ka punuar në një sektor për mirëmbajtjen e antenave të Radio Televizionit të Prishtinës, po ashtu Hilmi Kastratin e kam pas njoftuar në protesta të ndryshme që mbaheshin vazhdimisht në atë kohë”, ka thënë dëshmitari Leci

Tutje, i pyetur nga prokurori Avdiu, se në cilin vit ishte themeluar Bordi i RTP-së, dëshmitari tha se është themeluar 2-3 vjet para pandemisë dhe se nuk kishte zgjatur shumë, përafërsisht tre muaj.

Dëshmitari Leci tha se kryesues i Bordit të RTP-së, ka qenë Hilmi Kastrati, ndërsa kanë qenë 5-6 antarë në këtë Bord.

Lidhur me pronat e RTP-së, dëshmitari tha se kryetari i Bordit, Hilmi Kastrati i kishte përmendur disa prona.

“I ka përmend Hilmiu, që i kena disa prona, por unë nuk e di. Kur e kom pas pa një komunikatë në KTV se objekti pronë e TV të Prishtinës është shitur, mu m’mka ardhë marre”, tha ai.

I njëjti, shtoi se këto prona nuk janë menaxhuar nga askush sepse kanë qenë prona të shtetit.

“Këto prona kanë qenë të shtetit, prandaj nuk janë menaxhuar nga askush, përkundrazi veç janë mashtruar puntorët”, tha tutje dëshmitari Leci

Dëshmitari Haki Leci, po ashtu është përgjigjur se nuk e njeh Shpëtim Pllanën dhe as nuk e ka takuar asnjëherë.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 6 dhe 20 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hilmi Kastrati akuzohet se si person zyrtar – kryetar i Bordit ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Aty thuhet se më 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me numër C.nr.3159/17, për vërtetimin e drejtës së pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja, e pastaj i lartpërmenduri Hilmi Kastrati, më 5 shtator 2018, e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që në kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësojë N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

17 Nën, 2022, 17:07

Këtë thuhet se e ka bërë edhe pse i pandehuri Kastrati e ka ditur se ngastra në fjalë e të paditurës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, Lekë Prenaj akuzohet se si person zyrtar – gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe e ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror, në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, edhe pse e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, kurse për menaxhimin e këtyre pronave kompetente është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Sipas aktakuzës, në shqyrtimin gjyqësor të 10 prillit 2019, në lëndën C.nr.3159/17, sipas padisë së 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi – tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, i pandehuri Lekë Prenaj, ka nxjerrë aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve – avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja dhe tani të pandehurit Shpëtim Pllana në emër të paditurës, N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, duke vërtetuar se pronar i ngastrës së lartcekur 1781-2 me sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, është paditësi, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja.

Me ç’rast, thuhet se i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës NSH Radio Televizionit të Prishtinës, e cila përfaqësohet dhe administrohet nga AKP-ja.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Shpëtim Pllana e ka përfaqësuar N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, në kontestin e lartcekur, ku paditës ishte tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, për vërtetimin e pronësisë.

Aty thuhet se edhe pse i pandehuri Shpëtim Pllana e ka ditur se nuk e ka këtë të drejtë, e ka përpiluar autorizimin e 5 shtatorit 2018 me përmbajtje të pavërtetë, sipas të cilit kinse Bordi Ekzekutiv i Radio Televizionit të Prishtinës, në mbledhjen e 5 shtatorit 2018 ka vendosur që të autorizojë tani të pandehurin Shpëtim Pllana, e këtë autorizim pastaj e ka nënshkruar i pandehuri Hilmi Kastrati.

Tutje, thuhet se pastaj i pandehuri Shpëtim Pllana më 10 prill 2019, në cilësinë e përfaqësuesit të palës së paditur N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, e ka lidhë pajtimin gjyqësor në Divizionin Civil të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ia pranuar paditësit Shkumbin Qehaja të drejtën e pronësisë mbi ngastrën në fjalë.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Shkumbin Qehaja e ka dorëzuar padinë për rastin e lartpërmendur, me arsyetimin se ngastrën kadastrale e paditura ia ka dhënë tani të ndjerit Tefik Qehaja-baba i të pandehurit Shkumbin Qehaja, si kompensim për shërbime të kryera sipas kontratës për kompensimin e dyanshëm të lidhur mes tyre më 28 qershor 1994, edhe pse e kanë ditur se ngastra e lartcekur është pronë shoqërore e të dëmtuarës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” dhe e cila gjendet në menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që është kompetente e vetme për administrimin e së njëjta.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja kanë lidhur pajtim gjyqësor duke ia pranuar këtij të fundit të drejtën e pronësisë mbi ngastrën e lartpërmendur.

Tutje, thuhet se mbi bazën e vendimit gjyqësor të 10 prillit 2019, të nxjerrë nga tani i pandehuri Lekë Prenaj, e kanë vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, e cila më 23 maj 2019 e ka marrë aktvendimin me të cilin e ka aprovuar kërkesën e të pandehurit Shkumbin Qehaja për ndryshimin e titullarit të ngastrës së lartcekur, duke e bartur nga e dëmtuara në emër të këtij të fundit.

Më këto, sipas aktakuzës, të pandehurit Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana, Shkumbin Qehaja dhe Lekë Prenaj i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, e cila gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi