Një banor në Kosovë krijoi 273 kg mbeturina gjatë vitit 2021

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave Komunale (AMK) për vitin 2021.

Rezultatet tregojnë se sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara nga kompanitë rajonale të mbeturinave dhe operatorët ekonomikë privatë, që merren me menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë për vitin 2021, ishte 485 mijë tonë.

Të dhënat e vitit 2021 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara në Kosovë ishte 273 kg për banor në vit. Ndërsa, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ishte 0.75 kg.

“Në Prishtinë dhe rajonin e saj grumbullimi i mbeturinave komunale për ditë ishte 0.84 kg/banor/ditë. Ndërsa, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për ditë/për banor ishte 0.71 kg.

Nga të dhënat e mbeturinave komunale të grumbulluara sipas rajoneve për vitin 2021, vërehet se sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara ishte në rajonin e Prishtinës me 151 mijë ton në vit, ose 305 kg për banor në vit. Ndërsa, sasia më e vogël e mbeturinave të grumbulluara ishte në rajonin e Ferizajt, me 37 mijë ton në vit, ose 202 kg për banor në vit”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Gjithsej, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për vitin 2021 ka rritje për 6.4%, krahasuar me vitin 2020, ndërsa vetëm në Prishtinë dhe rajonin e saj ka rritje për 6.3%, krahasuar me vitin 2020.

Ndërsa, gjithsej sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për vitin 2021 në rajonet e tjera ka rritje për 6.4 %, krahasuar me vitin 2020. /Zëri