Brukseli u dërgon ftesë për takim Kurtit e Vuçiqit

Nuk dihet ende data, por për një takim në Bruksel ata tashmë kanë marrë ftesë nga Brukseli zyrtar. Bëhet fjalë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, kanë marrë ftesë për një takim në kryeqytetin e BE-së.

Stano deklaroi se Kurti dhe Vuçiqi janë ftuar për takim në kuadër të procesit të dialogut, ndonëse nuk dha ndonjë datë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Sidoqoftë, Stano tha se shpreson se ky takim do të ndodhë së shpejti, duke dhënë megjithatë një kohë orientuese.

Duke rikujtuar cilësimet e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, rreth urgjencës së çështjes së targave në veri të Kosovës, Stano u shpreh se shpresohet se ky takim të zhvillohet para dhe jo pas datës 21 nëntor.

Kjo pasi me 21 nëntor, fillon edhe zbatimi i fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e qytetarëve, të cilët në automjetet e tyre vazhdojnë të kenë targat ilegale KM, në vend të atyre legale RKS.

Për mundësinë e reagimit pasi të fillojë të shqiptohet edhe gjoba e parë financiare ndaj atyre vozitësve, zyrtarët lokalë serbë kanë paralajmëruar kohë më parë.

Nga 1 tetori, Policia e Kosovës duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës është duke shqiptuar fletë qortimi ndaj vozitësve që në automjete bartin targat ilegale KM. /RTK