Asociacionet e Gazetarëve nga rajoni dënojnë sulmin ndaj kameramanit në veri të Mitrovicës

Kameramani i portalit “Insajderi”, Jetmir Muji, është sulmuar fizikisht mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës nga një grup banorësh.

Derisa kameramani Jetmir Muji dhe gazetari Visar Duriqi ishin në pritje të një interviste, kanë vërejtur persona të panjohur duke e detyruar me forcë një të ri në makinën e tyre.

Muji vendosi të nxirrte telefonin dhe ta filmonte këtë ngjarje.

Ai gjatë xhirimeve të ngjarjes është sulmuar nga këta persona dhe ka përfunduar në një spital në jug të Mitrovicës. Rasti është raportuar në polici dhe Duriqi tashmë ka dhënë një deklaratë në polici.

Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të AGK-së, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me sulmin dhe problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët gjatë raportimit nga kjo zonë: “Sulmi vjen në një kohë kur nuk ka prezencë të policisë në vendin e incidentit dhe për këtë arsye sulme si këto mund të kalojnë pa u vënë re. Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të gjejë mënyra për të garantuar sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga veriu dhe të hetojë sa më shpejt sulmin dhe të gjejë autorët”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të AGK-së.

“Rrjeti ‘SafeJournalists’, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të vet AGK-së në dënimin e dhunës fizike ndaj punonjësve të medias dhe u bën thirrje autoriteteve kompetente të kryejnë një hetim efektiv dhe të sanksionojnë në mënyrë adekuate autorët”.

“Rrjeti ‘SafeJournalists’ do të informojë palët e interesuara përkatëse, kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast”.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 17.11.2022

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH-së

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi”, thuhet në reagim. /Zëri