Murati i reagon Hotit: Ju na latë edhe pa terminale, edhe pa çerdhe

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria aktuale ka shtetëzuar terminalet doganore, por që shpenzimet e këtyre terminaleve nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët përmes taksave.

“Shihni buxhetin e Doganës së Kosovës për 2023 dhe dy vitet në vijim: 9.1 mil euro do të shpenzohen për renovim të terminaleve doganore. Këto janë taksa të qytetarëve. Me një vlerësim prej 400-500 mijë euro për ndërtimin e një çerdheje, kjo shumë do të mund të shkonte në ndërtimin e 20 çerdheve për fëmijë”, shkroi Hoti.

Por, ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se Hoti duhet të japë llogari se sa çerdhe i ka ndërtuar me paratë e kursyera nga terminalet.

Ai më tej ka thënë se Qeveritë e kaluara e kanë lënë Kosovën edhe pa terminale, por edhe pa çerdhe.

“Madje edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf. U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, thuhet në reagimin e Muratit. /Zëri