Aksident zinxhiror në rrugën Prishtinë-Pejë, lëndohen tre persona

Një aksident trafiku mes katër veturave ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë, përkatësisht në fshatin Llapushnik, ku për pasojë tre persona janë lënduar.

Lajmin për “Zeri.info”, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

“Në ora 17:00, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Llapushnik). Në aksident janë përfshirë katër automjete. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK-në”, ka treguar Krasniqi.

Sipas tij, për shkak të aksidentit edhe trafiku është vështirësuar në këtë pjesë dhe vetëm shiriti emergjent është në dispozicion për lëvizje.

“Në atë pjesë të rrugës qarkullimi po zhvillohet vetëm nëpër shiritin emergjent. Njësitet policore janë duke u marrë me aksidentin”, theksoi Krasniqi. /Zëri