Deputeti i LVV-së i zhgënjyer me Qeverinë, kërkon bashkëpunim dhe koordinim me SHBA-në për targat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, është deklaruar rreth çështjes së targave.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Rrahmani ka kërkuar bashkëpunim dhe koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell “Zeri.info”.

“Garanci e plotë për integritetin, sovranitetin, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës është koordinimi e bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar ndër të tjerash Rrahmani.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova, përkatësisht Qeveria, këtë duhet ta dëshmojë me punë konkrete.

“Ne duhet të dëshmohemi me punë konkrete, planifikimin dhe bashkëpunim të mirëfilltë në interes të shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë, pa dallim”, ka shkruar Rrahmani.

Theksojmë se, Qeveria e Kosovës, më 1 nëntor ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.

SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian. /Zëri