Mehaj priti në takim shefen e Operacioneve Aktuale të NATO-s

ëPara se të nisej në udhëtimin zyrtar për në Kanada, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie të kësaj ministrie, Mehaj e ka njoftuar Viehe rreth zhvillimeve aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, por edhe për planet për të ardhmen, shkruan “Zeri.info”.

“Në vazhdim, ai e njoftoi me bashkëpunimin e ngushtë me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), duke i shprehur mirënjohjen e lartë për mbështetjen e deritashme për të gjitha proceset zhvillimore në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK. Ndër të tjera, Ministri Mehaj me znj. Viehe, diskutuan për mjedisin aktual të sigurisë në rajon, si dhe sfidat dhe kërcënimet që e cenojnë atë, duke vazhduar diskutimin edhe për zhvillimet gjeopolitike me theks të veçantë për krizën e Ukrainës”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Mehaj e ka potencuar faktin se përveç bashkëpunimit të shkëlqyer, edhe rëndësinë dhe rolin që ka KFOR-i në Kosovë në funksionim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

“Ministri Mehaj, duke u ndërlidhur me angazhimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve tjera të vendit, e njoftoi znj. Viehe edhe me miratimin e plotësim/ndryshimit të tri ligjeve themelore, si dhe për angazhimet shtetërore integruese të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe, si rrugë drejtë procesit për anëtarësim në NATO”, thuhet në kumtesë. /Zëri