Haradinaj buxhetin për vitin 2023 e quan “buxhet i varfërimit”

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se për herë të parë në historinë e Kosovës është paraparë një buxhet më i ulët se viti paraprak, ai madje e ka quajtur si “buxhet i varfërimit”.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj i është referuar një raporti të Bankës Botërore që këtë vit shërbyesit civil, pensionistët dhe kategoritë e tjera do të jenë për 25 për qind më të varfër.

“Me këtë buxhet, do të mbeten mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare. Të hyrat nga tatimi i korporatave apo tatimi në fitim parashihet të shtohet 41%, të hyrat nga tatimi në të ardhura personale parashihet të rritet 24%, ndërsa rritja e pagave realizohet në vlerën 11%. Pra, më shumë taksa për qeverinë, e më pak para për popullin”, shkroi ai.

Haradinaj e ka quajtur “qesharake” edhe projeksionin për të hyrat doganore dhe atyre të akcizës.

“Qesharake është edhe projeksioni i të hyrave doganore dhe të atyre të akcizës, që parashihen të rriten 3.4%, përkatësisht 4.5%, ndërkohë që rritja e çmimeve të importit parashihet në 8.5%. Duhet të kesh mbaruar katër vjet shkollë fillore, për të kuptuar se qeveria Kurti ka probleme serioze me operacionet e thjeshta matematikore”, theksoi ai ndër të tjera.

Ai ka thënë se në aspektin ekonomik dhe të investimeve ka dështuar Qeveria “Kurti”. /Zëri

Postimi i plotë: