Policia sqaron se si ndodhi sulmi ndaj kamermanit dhe nxënësit në veri

Policia e Kosovës ka sqaruar me detaje si erdhi deri te sulmi ndaj ekipit të gazetës “Insajderi” në veri të Kosovës.

Sipas Policisë, nëntë nxënës së shkollës së mesme kanë shkuar për të shëtitur në pjesën veriore, ku duke u kthyer janë ndaluar nga një automjet, i cili dyshohet se i ka përcjellë dhe nga ai automjet kanë dalë të dyshuarit që kanë rrahur njërin nga nxënësit kurse të tjerët kanë ikur, raporton Zeri.info.

Këtë ngjarje e ka filmuar kamermani i këtij portali që sipas Policisë u sulmua fizikisht nga persona që flisnin gjuhë serbe dhe tentuan t’ia merrnin celularin.

“Kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit. Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, në bashkëpunim me organet e drejtësisë në rastin “Sulm&lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të përmbahen nga çdo lloj provokimi që mund ta destabilizojë situatën. /Zëri