Përveç kameramanit, në veri u sulmua edhe 16-vjeçari Granit Xhafa
Dy persona janë sulmuar sot fizikisht në Mitrovicën e Veriut. Njëri është Jetmir Muji, kameraman dhe tjetri një qytetar, Granit Xhafa, 16 vjeç.
16-vjeçari nga Mitrovica, sipas familjareve të tij, ka qenë me disa shokë duke shëtitur në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicën e Veriut.
Ata kanë thënë se adoleshenti është sulmuar në momentin që është sulmuar edhe ekipi i gazetareve.
I riu është dashur të kërkojë ndihmë mjekësore dhe është dërguar fillimisht në Spitalin e Mitrovicës së Veriut e më pas është transferuar në atë në jug.
“Rreth orës 13:00, ka ardhur një person i rrahur. Ai është transferuar nga spitali në Mitrovicën e Veriut me autoambulancë dhe polici”, thotë Bashkim Hasani, drejtor i spitalit të përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
“Në spitalin në veri i është dhënë një tretman, e ku është sjellë këtu, e në konsultim me mjekët si neurologu, kirurgu e mjeku i emergjencës, është vendosur të mbahet në spital”, thotë Hasani për RTK-në.
Ai tha se pacienti është në situatë stabile, por për shkaqe sigurie shëndetësore, është vendosur të mbahet që të ndiqet gjendja e tij shëndetësore.
Paraprakisht, në mesditën e së enjtes, dyshohet se gjithashtu disa persona të nacionalitetit serb, kanë sulmuar kameramanin e mediumit –Insajderi, derisa ai po xhironte.
Bazuar në deklarimin e tij, ai në atë moment po filmonte një rast të kidnapimit të një të riu shqiptar në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse një rast të tillë, Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar.
Megjithatë, sipas ekipit të gazetarëve të këtij mediumi, i riu i nacionalitetit shqiptar, është kidnapuar nga disa serbë dhe i njëjti është futur me forcë në një veturëtë. Aty është rrahur dhe është lënë në rrugë. E ngjarja dyshohet se ka ndodhur në pjesën veriore të Kosovës.
Ekipi i këtij mediumi, ka deklaruar se kameramani Jetmir Muji, ishte duke e xhiruar këtë veprim të tyre dhe në shenjë revolte, sulmuesit e kanë goditur atë pas kokës.
Pasi kameramani i është nënshtruar një intervenimi mjekësor në emergjencën e Mitrovicës së Jugut.
Bashkim Hasani, drejtor i spitalit të përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, deklaron se rreth orës 11;00, në emergjencë është dërguar një person i lënduar në kokë.
“Ai ka pasur tendenca të vjelljes dhe kemi bërë të gjitha ekzaminimet klinike dhe radiologjike”, thotë Hasani për RTK-në. Sipas tij, gjendja e pacientit, pas ekzaminimeve, ka qenë stabile dhe pas tretmanit është liruar në shtëpi.
“Lëndimet kanë qenë të natyrës së lehtë”.
Ndërkohë, kryeredaktori i Insajderit, Visar Duriqi, i cili ka deklaruar se ishte prezent në momentin kur ka ndodhur sulmi, ka treguar se si e gjithë ngjarja është parë nga karabinierët italianë.
Ai ka thënë se karabinierët kanë hyrë në veturat e tyre dhe nuk janë afruar të pyesin si është gjendja e kamemaranit të sulmuar e lënduar.
Duriqi është shprehur se gjendja e kameramanit Muji është stabile dhe rasti po hetohet nga Policia, kurse kjo e fundit më vonë, ka dhënë detaje lidhur me sulmin fizik ndaj dy kosovarëve në veri të Mitrovicës.
Besim Hoti, zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, deklaroi se ende nuk ka ndonjë person të arrestuar lidhur me sulmin.
Lidhur me rastin, ka reaguar Partia e Serbëve të Kosovës, dhe kryetari i saj, Aleksandar Jabllanoviq, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë ndaj Listës Serbe.
“Kjo tregon se çfarë efekti real në terren e arrijnë gënjeshtrat e vazhdueshme dhe tensionet artificiale me të cilat mashtrohen dhe mbahen në vakum sigurie populli në veri të Kosovës”, shkruan në reagimin e kësaj partie.
Sidoqoftë, situata e sigurisë në veri të vendit, në përgjithësi është e qetë.