Vonesa me pajisje të dokumenteve personale, MPB-ja: Lufta në Ukrainë i ka fajet

Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një njoftim referuar situatës së krijuar me vonesat e pajisjeve me dokumente personale, kryesisht mungesën e pasaportave.

Ministria thotë se Agjencia për Regjistrim Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke i menaxhuar me kujdes të shtuar sasitë në dispozicion.

“Kjo po bëhet përmes analizimit të rasteve të arsyetuara dhe dëshmuara me dokumentacion mbështetës, duke i trajtuar si prioritet të lartë kategoritë shëndetësore, studentët, mërgatën dhe përfaqësimin shtetëror.

Momentalisht po përballemi me mungesë të lëndës së parë të prodhimit të dokumenteve si shkak i invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, porse me këtë problem nuk po përballet vetëm Republika e Kosovës, por të gjitha shtetet që janë furnizuar në linjën dhe vendin e njëjtë me lëndën bazë të prodhimit të dokumentit”, thotë MPB-ja.

Ministria siguron se po bëjnë përpjekje maksimale që të sigurojmë materialin e nevojshëm duke mundësuar kështu prodhimin dhe furnizimin me dokumente personale brenda afateve dhe pa vonesa, andaj kërkon mirëkuptimin e qytetarëve rreth situatës së krijuar.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të njoftojë opinionin publik sapo të furnizohemi me sasinë e mjaftueshme të materialit bazë për personalizim të dokumenteve”, thuhet në njoftim. /Zëri