Ferizaj: Shoferi humb kontrollin dhe godet dy vetura të parkuara, dy të lënduar

Një aksident trafiku ka ndodhur sot në mëngjes në magjistralen Ferizaj – Gjilan.

Policia ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur saktësisht në fshatin Sojevë të Ferizajt, ku një shofer ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka goditur dy vetura të parkuara, si rezultat dy persona janë lënduar, raporton Zeri.info.

“Sot rreth orës 07:00, në rrugën magjistrale Ferizaj- Gjilan, më saktësisht në fshatin Sojevë të Ferizajt, ka ndodhur një aksident komunikacioni, ku janë përfshirë një automjet në lëvizje dhe dy automjete të parkuara. Deri tek aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ardhur kur një automjet i udhëtarëve po qarkullonte nga Ferizaj në drejtim të Gjilanit dhe në fshatin Sojevë shoferi humb kontrollin mbi automjetin e tij dhe del jashtë rruge, ku i godet dy automjete që ishin të parkuara. Veç dëmeve të shkaktuara materiale, lëndime të lehta trupore pësojnë dy persona, të cilët dërgohen për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai shtoi se në vendin e aksidentit ka dalë Njësia e Hetimeve të Aksidente, e cila po e heton rastin. /Zëri