Sveçla në Shkup: Kosova, e gatshme t’i strehojë 5000 refugjatë nga Ukraina

Kosova ka shprehur edhe një herë gatishmërinë t’i strehojë deri 5000 refugjatë nga Ukraina.

Kështu ka thënë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në konferencën ministrore “Menaxhimi i qëndrueshëm i migrimit në Ballkanin Perëndimor”, që po mbahet në Shkup, transmeton Zeri.info.

Me këtë rast, Sveçla shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për adresimin e sfidave nga flukset e migracionit si rrjedhojë e dinamikave të reja të sigurisë dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e hartimit të politikave të qëndrueshme të migracionit, të ndërtuara mbi një konsensus politik, me qëllim të reagimit dhe parandalimit të formave të reja të migrimit.

Ai gjithashtu theksoi se Kosova e konsideron migrimin e parregullt si një nga sfidat kryesore në të ardhmen dhe si rrjedhojë është një nga prioritetet e Qeverisë, e cila ka si synim menaxhimin e migracionit të rregullt, garantimin e migrimit të sigurt dhe mirë të organizuar, si dhe fuqizimin e masave për të luftuar dhe parandaluar migrimin e parregullt.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Sveçla prezantoi rezultatet e arritura në luftimin e kontrabandës me emigrantë, ku, siç tha ai, vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka iniciuar 32 raste të kontrabandës me emigrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve.

Gjatë të njëjtës periudhë Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 grupe kriminale dhe ka arrestuar 28 persona për kontrabandim me emigrantë.

Ministri Sveçla theksoi nevojën për t’u përgjigjur situatave të reja të krijuara si rezultat i luftës së paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka ndikuar edhe në rritjen e flukseve të migrimit, kryesisht gra dhe fëmijë e ku deri më tani rreth 5 milionë refugjatë janë regjistruar në BE dhe më gjerë dhe shprehur edhe një herë gatishmërinë e Qeverisë që të strehojmë deri 5000 refugjatë, si dhe kontributin që si Kosovë kemi dhënë në mbrojtje të gazetarëve ukrainas, ku tashmë 11 prej tyre jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Në fund të fjalimit të tij, ministri Sveçla theksoi edhe një herë angazhimin e Qeverisë për të punuar së bashku për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe më gjerë, në mënyrë që t’u përgjigjen të gjitha sfidave, si dhe të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave evropiane dhe të demokracisë. /Zëri