Sarrazin: Erdhi koha të fillojnë diskutimet për Asociacionin

Manuel Sarrazin, emisari i emëruar për Ballkanin Perëndimor nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se është koha të fillojnë diskutimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, derisa pati një thirrje edhe për Qeverinë e Kosovës.

Në një intervistë për RTK-në, Sarrazini, duke folur për çështjen e targave, theksoi se situata është e tensionuar.

Ky i fundit shtoi se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të gjejë zgjidhje, por “nuk duhen vetëm parimet”.

“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të zgjidhë çështjen e targave të veturave, por nuk na duhen vetëm parimet”, tha Sarrazini.

Tutje, ai përmendi edhe Asociacionin. Sipas emisarit gjerman, kjo është çështje për të cilën duhet të fillojnë diskutimet dhe se Qeveria duhet të tregojë që nuk është “temë tabu”.

“Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është çështje e dialogut dhe është koha e duhur për të filluar bisedimet për të nxjerrë konceptet kryesore, që të tregohet se nuk është temë tabu që Qeveria ta diskutojë”, deklaroi ai.