Zelensky ndryshon qëndrim, kërkon qasje në të gjitha të dhënat për raketat në Poloni

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar që ekspertëve ukrainas t’u jepet akses në “të gjitha të dhënat” e mbajtura nga partnerët perëndimorë, si dhe të lejohen të vizitojnë vendin e shpërthimit të shkaktuar nga raketa që ra në Poloni, pranë kufirit ukrainas mbrëmjen e djeshme.

“Ne duam të shqyrtojmë të gjitha detajet, gjithçka ”, theksoi ai.

“Kjo është arsyeja pse ekspertët tanë duhet të marrin pjesë në punën e hetimit ndërkombëtar dhe të kenë akses në të gjitha provat në dispozicion të partnerëve tanë, si dhe (duke i lejuar ata të shkojnë) në vendin e shpërthimit”, tha Zelensky nëpërmjet një videomesazhi sonte.

Deklaratat e fundit të presidentit tregojnë një ndryshim në qendrimin e Zelensky, i cili këmbënguli deri më herët sot se raketa në fjalë i përkiste Rusisë, duke kundërshtuar NATO-n dhe Uashingtonin që besojnë se raketa ishte një raketë kundërajrore ukrainase.

“Nuk kam asnjë dyshim se kjo raketë nuk ishte e jona”, tha presidenti ukrainas më herët. “Unë besoj se ishte një raketë ruse.”

Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, tha se “nuk ka parë asgjë që të kundërshtoje” vlerësimin e bërë nga Varshava, sipas të cilit raketa që ra në Poloni “me shumë gjasa” erdhi nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.