Kurti takon drejtuesit e kompanive “Bosch”, “Datagroup SE” dhe “Zeiss”, u bën thirrje për investim në Kosovë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtutgart të Gjermanisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë, në këto takime kryeministri Kurti theksoi mundësitë për investime dhe mjedisin e favorshëm në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional.

Në njoftim theksohet se Kurti veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullsinë e re dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale, shkruan “Zeri.info”.

Ai tha se ndikimi i stabilitetit politik vërehet edhe në Investimet e Huaja Direkte, të cilat u rritën me 22%, ndërsa me agjendën ambicioze legjislative të Qeverisë, presim rritje të mëtejme në të ardhmen e afërt.

“Mbështetja e madhe e Qeverisë për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit në vend nëpërmjet një agjende digjitale gjithëpërfshirëse, u theksua nga Kryeministri Kurti në takimin me Andreas Baresel, Kryeshef Ekzekutiv në kompaninë e teknologjisë së informacionit Datagroup SE. Ardhja e kompanive të mëdha globale si Bosch në Kosovë do të ndihmonte sektorin vendor në rritjen e standardeve të punës, cilësisë si dhe konkurrencës brenda sektorëve, u tha në takimin me znj. Tanja Rückert nga kompania Bosch. U diskutua edhe nisma e Qeverisë për mbylljen e hendekut të shkathtësive nëpërmjet arsimit dual”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq bëhet e ditur se gjatë vizitës në Zeiss dhe takimit me drejtuesit e kompanisë Dr. Christian Müller e Dr. Marc Ëaëerla, u theksua se me popullatën tonë të re, Kosova është lokacion i favorshëm për mbështetjen e zinxhirëve ekzistues të furnizimit, si dhe një alternativë e re e për investime në arsim, veçanërisht në arsimimin digjital.

Në këto takime u theksua synimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të përmirësuar mundësitë dhe cilësinë e jetës për të rinjtë tanë, nëpërmjet lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë dhe mbështetjes së investitorëve. /Zëri