Abdixhiku takon senatorin Murphy: Në Senat kërkova ngritje bashkëpunimi Kosovë - SHBA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amrikës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku, ka njoftuar se në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në SHBA, ka zhvilluar takime në Senatin amerikan, ku është takuar me Senatorin Christopher Murphy dhe ekipi i tij politik, përcjell “Zeri.info”.

“Biseduam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon. Edhe në Senat shtrova kërkesën tonë për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve nëpërmjet ‘Kartës për Partneritet Strategjik’. Si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Senatori Murphy ka qenë dhe mbetet gjithherë aktiv në rajonin tonë. Në këtë drejtim, kërkesat tona për mbështetje ndaj popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës, e aspirstave tona për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, ishin krejt të natyrshme. Po ashtu, në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e politikës së jashtme, energjetikës e zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Abdixhiku ndër të tjerash. /Zëri