Ministri Mehaj viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka vizituar ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Mehaj ka treguar se gjatë qëndrimit dyditor në Holandë ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale, për të cilët ka thënë se janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë.

Ai ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa shtoi se ka biseduar shkurt edhe me Hysni Gucatin, i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore.

“Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për antarësim në PfP dhe NATO, të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë.

Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë. Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt”, tha Mehaj.

“Ditët e së ardhmes së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës - sa të bukura, aq përmbajtjesore. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare!”, shkroi Mehaj. /Zëri