KEK-u dhe KEDS-i gjobiten nga ZRRE-ja me 11.1 milionë euro

Bordi i ZRRE-së, në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme, ka miratuar dy kërkesa për licencë të furnizimit me shumicë të energjisë elektrike, si dhe ka miratuar parametrat rregullatorë për KOSTT-in dhe KEDS-in për periudhën 2023-2027.

Sipas njoftimit, Bordi i ZRRE-së shqyrtoi edhe raportet fillestare të KOSTT-it dhe KEK-ut, ku pas shqyrtimit janë gjetur shkelje dhe raporti u është dërguar palëve për të ofruar komentet e tyre, raporton Zeri.info.

“Në këtë seancë, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar vlerësimin përfundimtar ne lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e Monitorimit dhe ka miratuar propozimin për masat administrativë me gjobë për KESCO-n në vlerën prej 8,4milionë € dhe për KEDS-in në vlerën prej 2,7mil. €”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Po ashtu bëhet e ditur se Bordi ka miratuar 14 kërkesa për marrje të autorizimit për ndërtimin e paneleve solare për vetëkonsum, nga të cilat 9 janë dorëzuar nga persona fizikë dhe pjesa tjetër ndërmarrje të ndryshme me gjithsej 503 kW.

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit, si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në njoftim. /Zëri