Mungesa e ekspertëve të psikiatrisë forenzike bën që të dështojë për herë të dytë gjykimi për tentim vrasjeje

Për shkak të mungesës së dy ekspertëve të psikiatrisë forenzike, Blerina Hoxha dhe Arsim Gashi, ka dështuar të mërkurën gjykimi ndaj të akuzuarit Shaban Hasanaj, i cili ngarkohet se ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mirsad Gegollaj.

Për këtë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova tha se gjykata do ta lajmërojë kryetarin e forenzikës për papërgjegjshmërinë e ekspertëve.

Kjo pasi, sipas gjykatëses Hysaj-Rugova, për herë të dytë shqyrtimi gjyqësor po shtyhet me arsyetimet e njëjta, që ekspertët gjenden në kujdestari dhe sipas saj kjo nuk mund të jetë arsye.

Fillimisht, gjyqtarja konstatoi se ekspertja Blerina Hoxha, e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezente në seancë, për shkak se ka kujdestari në forenzikë, ndërsa eksperti Arsim Gashi, kishte deklaruar se për shkak se kolegia e tij mungon, ka menduar se nuk mbahet seanca, ku njoftoi gjithashtu mungesën e tij në seancë.

Tutje, përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Skender Musa, tha se duke marrë parasysh që kanë tri ekspertiza, në ekspertizën e parë nuk ishin dhënë qartë ato se çfarë kërkohen me ligj, por vetëm theksohet se aftësia ka qenë e zvogëluar pa përmendur fare termin esencial.

Sipas avokatit Musa, në ekspertizën e dytë të urdhëruar nga gjykata, kishin konstatuar se kanë të bëjnë me një person të aftë dhe person të përgjegjshëm penalisht dhe ekspertiza e tretë përsëri nga urdhri i gjykatës, që e kanë mendimin e ndarë, ashtu që ekspertët kishin konstatuar se kanë të bëjnë më një person që ka pasur gjendje emocionale reaktive, gjendje e cila mund të ndikojë në aftësi të kuptuarit dhe kontrollit ndaj veprimeve të veta që kanë qenë të zvogëluar por jo esencial.

Gjithashtu, sipas tij, kanë edhe mendimin e ndarë nga psikiatrja Blerina Hoxha, e cila kishte dhënë mendimin së kanë të bëjnë me një person me aftësi të zvogëluar mendore.

Për këto, ai propozon që pos dëgjimit të ekspertëve, sipas dispozitës së nenit 142 të kundërthënieve të ekspertëve, ata të ballafaqohen me ekspertizat, pasi që edhe pas tyre aktakuza vazhdon të mbetet e njëjtë.

Tutje, prokurorja Sahide Gashi tha se shqyrtimi është dukë u stërgjatur dhe janë duke u krijuar shpenzime për ekspertë dhe se nga ajo se çfarë kanë pasur deri më tani, ekspertët gjithnjë po mbesin pranë ekspertizave të cilat po i përpilojnë.

Prokurorja Gashi u pajtua me propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, pasi që sipas saj ligji e ka paraparë mundësinë kur kanë gjithë këto mendime kundërthënëse të ekspertëve, të njëjtit të ballafaqohen.

Pas kësaj, trupi gjykues konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme, andaj mori aktvendim që seanca e shqyrtimit gjyqësor të shtyhet për 27 dhe 28 dhjetor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë e ngarkon të pandehurin Shaban Hasanaj se në gjendje të zvogëluar të aftësisë mendore, kishte tentuar ta privonte nga jeta të dëmtuarin Mirsad.

Me këtë konstatim, nuk ishte pajtuar mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Skender Musa, i cili duke e cilësuar ekspertizën e parë si joobjektive, ka kërkuar që ndaj të pandehurit të bëhet riekspertim i ri psikiatrik, për të konfirmuar nëse i pandehuri kishte aftësi të zvogëluar mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Ky propozim ishte aprovuar nga kryetarja e trupit gjykues, Husaj-Rugova, e cila kishe urdhëruar të bëhet një ekspertizë e re psikiatrike pranë Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Sipas aktakuzës të ngritur më 22 gusht 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Shaban Hasanaj akuzohet se ka kryer veprën penale të tentim vrasjes dhe atë të përdorimit të armës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në shkurt të vitit 2020, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Istog, në gjendje të zvogëluar mendore ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mirsad Gegollaj.

Në aktin akuzues thuhet se, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një pronë, i dëmtuari kishte kaluar disa herë afër shtëpisë së të pandehurit duke i rënë borisë, për çka ishte lajmëruar edhe policia. Pas kësaj, thuhet se i pandehuri së bashku me vajzën e tij, dëshmitaren Florentina Hasanaj shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit dhe kur i dëmtuari del nga shtëpia, i cili më të vërejtur të pandehurin e hedhë një dru të drejtim të veturës së tij, i pandehuri nxjerrë revolen dhe shtie në drejtim të tij shtatë herë, duke e lënë të dëmtuarin të plagosur në regjionin e majtë të qafës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, vepër kjo që sipas Kodit Penal dënohet me jo më pak se 5 vite burgim, mirëpo duke qenë se akuzohet për tentativë, dënimi sipas Kodit Penal mund të zbutet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Shabanaj akuzohet se kishte shkelur Ligjin për Armë, duke keqpërdorë armën e tipit pistoletë, llojit “HS”, Model 2, për të cilën kishte leje vetëm për shenjëtari, e me të cilën kishte shtënë në drejtim të dëmtuarit, ku të njëjtin e kishte lënë të plagosur.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm, dënushmëria e së cilës është me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej 1 deri në 10 vite. /BetimipërDrejtësi