Halimi: SHBA-ja e NATO-ja rezervohen në deklarime, Gërvalla i hedh benzinë zjarrit

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, për deklarimin e saj në lidhje me raketat që mbrëmë ranë në Poloni.

Sipas Halimit, është e pafalshme që e para e diplomacisë sonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj.

“Në një kohë kur të gjithë zyrtarët e SHBA-së, BE-së dhe të NATO-s rezervohen në deklarime - që të mos ketë përshkallëzime dhe pasaktësi - ministrja jonë e jashtme tregohet joserioze, madje me një dëshirë të papërmbajtshme për t’i hedhur benzinë zjarrit. Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë të njohjes së Kosovës, gabimet përmbajtësore e deklarimet pa takt, sikur ky i fundit, janë bërë rëndomtësi”, është shprehur Halimi.

Ajo tutje tha se kabineti i Gërvallës duhet të kenë kujdes që të mos bëjnë gabime të panevojshme.

“Kabineti i madh e me shumë këshilltarë, duhet të angazhohen dhe të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme. Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me vetëpërmbajtje e maturi, jo me temperament e vrull për t'u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare”, tha Halimi. /Zëri