Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon të anulohet vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, të martën ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi S.F. po kërkon të anulohet vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Sipas këtij vendimi, është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditësit e paraqitur kundër fletëparaqitjes për kundërvajtje.

Gjykatësja Lirije Maksutaj njoftoi se në këtë seancë mungon paditësi S.F, edhe pse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Përkundër mungesës së tij, e pranishme në seancë sot ishte përfaqësuesja e autorizuar e palës së paditur, Hakide Kida, e cila deklaroi se qëndron pranë vendimit të nxjerrë, pasi qe e njëjta konsideron se një vendim i tillë është i drejtë dhe i ligjshëm.

Pas kësaj, gjykatësja Maksutaj administroi provat materiale dhe konstatoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Tutje, përfaqësuesja Kida pas administrimit të provave dhe mbi të gjitha faktet, kërkoi që padia të refuzohet dhe të vërtetohet vendimi i kundërshtuar.

Ndryshe, më 26 dhjetor 2019 paditësi S.F. ka ushtruar padi ndaj Policisë së Kosovës, për anulimin dhe shpalljen si të pavlefshëm të vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Sipas padisë, nuk është vërtetuar gjendja faktike drejt dhe nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzion jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.

Paditësit më 3 shkurt 2019 i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 150 eurove, si dhe masa mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik për 3 muaj dhe tri pikë negative.

Ndaj këtij vendimi, kundërvajtësi në afatin ligjor ka paraqitur kundërshtim. Mirëpo, me vendimin e nxjerrë më 19 shkurt 2019 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e ka refuzuar kundërshtimin e paraqitur nga ana e paditësit si të pabazuar si dhe është vërtetuar vendimi i goditur si i drejtë dhe i bazuar me ligj. /BetimipërDrejtësi