AAK: Qeveria i gënjeu mbi 80 mijë zyrtarë me Ligjin e Pagave

AAK-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka përfshirë Projektligjin për paga në buxhetin e vitit 2023.

Sipas tyre, Qeveria i gënjeu mbi 80 mijë zyrtarë publikë me ligjin për Paga, transmeton Zeri.info.

“Qeveria ka gënjyer mbi 80 mijë zyrtarë publikë duke mos e përfshirë Projektligjin për paga në buxhetin e Kosovës për vitin 2023. Me këtë u dëshmua se Qeveria i ka thënë ‘jo’ miratimit të Ligjit të Pagave”, kanë thënë sot në një konferencë për media deputetët e AAK-së, Pal Lekaj dhe Besnik Tahiri, transmeton Zeri.info.

Ata kanë propozuar një zgjidhje emergjente, ku kanë kërkuar rritje lineare të pagave prej 30%.

“Ne si alternativë dhe zgjidhje emergjente e prezantuam amendamentin, ku në mes të dy leximeve të buxhetit, do të kërkojmë rritjen lineare të pagave prej 30% për gjithë punëtorët e sektorit publik, deri në miratimin e Ligjit të Pagave”, tha Tahiri. /Zëri