Konjufca takohet me delegacionin nga Kongresi amerikan

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (House Democracy Partnership-HDP) të Kongresit të SHBA-së, në përbërje Mike Bishop, ish-kongresmen nga Partia Republikane, Derek Luyten, drejtor ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, specialiste për menaxhimin e sistemit informativ legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, analiste për Çështje Evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, drejtore e përgjithshme e Qeverisjes në Zyrën Qendrore të NDI në Washington DC.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit.

“Konjufca i shprehu mirëseardhje delegacionit amerikan dhe i falënderoi për vizitën e tyre në Kosovë. Po ashtu i njoftoi në lidhje me efikasitetin e punës së Kuvendit dhe trupave të tij”, thuhet në komunikatë.

Edhe me këtë rast, kryetari i Kuvendit ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e pakursyer që vazhdon t'i japë Republikës së Kosovës, duke theksuar se miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura.

Tutje, thuhet se kryetari Konjufca dhe delegacioni i HDP-së u pajtuan për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e përvojave në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës. /Zëri