Kurti takon mërgatën në Austri, fton për investime në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar mërgatën në Austri që së bashku me partnerët e tyre të biznesit të hulumtojnë mundësitë e investimeve në Kosovë.

Kurti ka thënë se diaspora është pjesë përbërëse e së kaluarës, tashmes dhe së ardhmes së Kosovës.

“Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë të Austrisë, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbrëmje u takua dhe u shoqërua me pjesëtarë të mërgatës sonë atje. Ai i njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra dhe me punën e deritanishme të Qeverisë, teksa diskutuan për zhvillimin e vendit, përfshirjen dhe rolin aktiv të mërgatës në atë drejtim. Kryeministri i falënderoi të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe të gjithë diasporën për angazhimin e palodhshëm dhe kontributin e vazhdueshëm. Ai u shpreh se diaspora është pjesë përbërëse e së kaluarës, tashmes dhe të ardhmes së vendit, dhe i ftoi që së bashku me partnerët e tyre të biznesit të hulumtojnë mundësitë e investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në njoftim thuhet se kryeministri ka njoftuar mërgatën në Austri për programin Diplomaci Qytetare.

“Nëpërmjet këtij programi 10 profesionistë të rinj të përzgjedhur nga diaspora, për 6 muaj do të angazhohen në projekte të ndryshme të MPJD-së, me qëllim rritjen e përfshirjes së diasporës në diplomaci publike”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.