Presidentja Osmani vendos: Më 18 dhjetor zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 18 dhjetorin datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për krytarë të komunave në Mitrovicë të veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Presidencës, ka njoftuar se ky vendim i Osmanit ka ardhur pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan “Zeri.info”.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.

Osmani pas këtij vendimi e ka urdhëruar KQZ-në që t’i ndërmarre të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, thuhet në vendimin e presidentes Osmani për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.

Pas takimit me përfaqësues të partive politike, Osmani ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor. 

Presidentja Osmani, ka theksuar gjithashtu se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese. /Zeri.info