“Pranojeni gabimin”, deputeti i LVV-së i reagon Ministrisë së Mbrojtjes për Gardën e FSK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ka dalë kundër reagimit të Ministrisë së Mbrojtjes pasi ata pretenduan se nuk i kishin nderuar ushtarët serbë që vdiqën mes viteve 1912-1918.

Garda ceremoniale e FSK-së dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, kanë marrë pjesë në një ceremoni të organizuar nga ambasada gjermane dhe ajo franceze, në përkujtim të ushtarëve të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore. Aty ku u bën nderimet është edhe pllaka përkujtimore e ushtarëve serbë të rënë gjatë asaj kohe.

Ministria e Mbrojtjes ka mohuar të jenë nderuar ushtarët serbe.

Sipas tyre, “Togu ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman. Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb.”

Por, me këtë reagim nuk pajtohet Enver Dugolli i VV-së, që është edhe anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje.

“Çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetëvete. Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve”, shkruan mes tjerash deputeti.