Destani takon Kurtin në Forumin Ekonomik në Vjenë, diskutojnë për mundësi të reja investimi në Kosovë

Biznesmeni i njohur shqiptar, Lazim Destani, ka takuar sot në Vjenë kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit Ekonomik.

Biznesmeni i njohur shqiptar, Lazim Destani, ka qenë i ftuar në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Destani ka bërë të ditur se në kuadër të këtij forumi ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin kanë biseduar rreth mundësive për investime të reja në Kosovë.

Postimi i plotë i Destanit, pa ndërhyrje:

I ftuar nga Forumi Ekonomik i Vienës (FEV), sot mora pjesë në këtë ngjarje të përvitshme, e 19-ta me radhë, me temë “Ekonomia takon politikën”që i zhvilloi punimet në kryeqytetin austriak. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Kryeministra të vendeve anëtare të FEV, përfaqësues të institucioneve europiane si dhe përfaqësues të lartë politik të rajonit dhe të ekonomisë europiane e globale.

Këtu pata mundësinë të takoj përfaqësues të kompanive shumë të suksesshme si, Reifeisen International Bank, A1 Telekom Austria Group AG si dhe kompani të tjera austriake e europiane. Në kuadër të Forumit gjithashtu zhvilluam një takim me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, me ç’rast diskutuam mbi mundësi të reja investimi në Kosovë.

Forumi i zhvilloi punimet në tre seanca njëra pas tjetrës ku nga diskutimet e zhvilluara në këto panele interesim të veçantë zgjoi paneli me temë, “Forcimi i bashkëpunimit mes ekonomisë rajonale dhe politikës – cila është rruga më e përshtatshme?”